Katër inspektorë të FNSH-së, të identifikuar si Dorjan Hasandoçaj, Gentian Xhanari, Dioniz Hotaj dhe Ridvan Zefi, u arrestuan nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Kjo vjen pas arratisjes së Hasan Verracakut, i cili ishte në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Gjykata vendosi që efektivët të hetohen në gjendje të lirë. Sipas AMP-së, dyshohet se ata nuk kanë ushtruar siç duhet detyrën e tyre për mbikëqyrjen e Verracakut, duke mundësuar largimin e tij nga banesa. Hasan Verracaku ruhej 24 orë nga Policia e Shtetit. Ndaj Verracakut është regjistruar procedim penal për veprën “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Verracaku është një nga personat nën hetim për ngjarjen e ndodhur në Velipojë në qershor 2021. Në atë ngjarje humbën jetën katër persona dhe dy të tjerë mbetën të plagosur. Pas përfundimit të afateve të paraburgimit, ndaj tij ishte caktuar masa “arrest në shtëpi”.