Gjykatësit shqyrtuan lëndën që konteston disa dispozita të Kodit Zgjedhor, të cilat rregullojnë shpërndarjen e hapësirës mediatike dhe mjeteve financiare për reklamimin politik. Për pranimin e iniciativës nevojiten pesë vota pro, por kjo shumicë nuk u arrit pavarësisht pranisë së shtatë gjykatësve.
Gjykatësi Kushtetues, Osmani Kadriu, propozoi fillimin e procedurës, duke theksuar diskriminimin dhe mundësitë e pabarabarta në proceset zgjedhore për partitë politike. Në kundërshtim, gjykatësja Tatjana Vasiq – Bozhaxhieva paralajmëroi për një vakum të mundshëm juridik nëse këto zgjidhje shfuqizohen, ndërsa gjykatësja Dobrilla Kacarska theksoi se roli i gjykatës është vlerësimi i kushtetutshmërisë dhe jo realiteti politik.
Deputeti i Levicës, Amar Mecinoviq, deklaroi se refuzimi i iniciativës do të legalizonte kushtet e pabarabarta në zgjedhje dhe do të krijonte një precedent të rrezikshëm. Ai kërkoi qasje të barabartë në hapësirën mediatike, pa kërkuar financime shtesë.
Ndërkohë, Komisioni Kundër Korrupsionit ka propozuar heqjen e plotë të financimit zgjedhor nga buxheti deri në gjysmën e parë të vitit 2028, për shkak të rregullimit të pamjaftueshëm ligjor dhe mungesës së kontrollit. Enti Shtetëror për Revizion gjithashtu ka kërkuar rishikimin e metodës së shpërndarjes së fondeve për reklamat politike dhe harmonizimin e ligjeve. Përgjatë zgjedhjeve të fundit lokale, gati 4.8 milionë euro fonde publike u shpërndanë tek mediat për reklama zgjedhore.