Gjumi në krah është pozicioni më i mirë për të kaluar netët e nxehta verore. Ekspertja e gjumit, Alison Jones, shpjegon se kjo mënyrë ekspozon një pjesë më të madhe të trupit ndaj ajrit, duke lehtësuar çlirimin e nxehtësisë dhe ftohjen natyrale.

James Leinhardt, ekspert i pozicionit të gjumit, thekson se trupi humbet pjesën më të madhe të nxehtësisë përmes ballit dhe shpinës së poshtme. Gjumi në shpinë rrit kontaktin me dyshekun, duke penguar shpërndarjen e nxehtësisë. Në të kundërt, gjumi në krah minimizon kontaktin, duke ftohur trupin më efikas.

Gjithashtu, ekspertët vlerësojnë se gjumi në anën e majtë mund të jetë veçanërisht i dobishëm për individët që vuajnë nga urthi ose refluksi gastroezofageal. Dr. Abhinav Singh, specialist i mjekësisë së gjumit, shpjegon se për shkak të anatomisë së stomakut, i cili ndodhet kryesisht në anën e majtë, acidi stomakut e ka më të vështirë të kalojë në ezofag kur flini në këtë pozicion. Kjo mund të zvogëlojë ndjesinë e djegies dhe të sjellë një gjumë më të qetë.

Përveç pozicionit të duhur, ekspertët sugjerojnë edhe disa masa shtesë: freskimi i dhomës para gjumit, përdorimi i çarçafëve të lehtë pambuku, shmangia e vakteve të rënda dhe alkoolit në mbrëmje, bërja e dushit me ujë të vakët dhe konsumimi i mjaftueshëm i lëngjeve gjatë ditës për të parandaluar dehidratimin.