Vendimi i GJKKO, shpallur më 3 korrik 2026, caktoi një total prej rreth 95 vitesh burgim. Të pandehurit u shpallën fajtorë për vepra penale si prodhim dhe shitje narkotikësh, kultivim bimësh narkotike, mbajtje pa leje armësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Sadetin Hasaj, drejtues i grupit, u dënua me 8 vite e 8 muaj burg. Po të njëjtin dënim mori edhe Blerim Xheka. Dënime të tjera përfshijnë Sidrit Bisha, Suad Smakaj, Jurgen Ujkaj, Samoel Lushaj, Endriol Xheka, Mirvaldo Disha dhe Hamdi Dyli me nga 6 vite e 8 muaj burg secili. Arben Vrapi, Adiol Çifliku, Lulzim Bushataj, Mustaf Manej, Bashkim Mema dhe Edison Mema u dënuan me nga 5 vite e 4 muaj burg.

Drita Mema dhe Izmire Mema u dënuan me nga 4 vite burg, me pezullim të ekzekutimit të dënimit dhe vendosje në provë për 3 vjet. Dënimet variojnë sipas rolit të secilit të pandehur në aktivitetin kriminal të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, të kryer në vitin 2022.