Dy drejtuesit e grupit, Sadetin Hasaj dhe Blerim Xheka, morën dënimet më të rënda, me nga 8 vite e 8 muaj burg secili. Akuzat përfshinin kultivim dhe trafikim narkotikësh, armëmbajtje pa leje dhe drejtim të grupit të strukturuar kriminal.
Pjesa tjetër e të pandehurve u dënua me dënime që variojnë nga 5 vite e 4 muaj deri në 6 vite e 8 muaj burg. Për Drita Memën dhe Izmire Memën, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me 4 vite burg dhe vendosjen në shërbim prove për tre vjet. Ato u shpallën të pafajshme për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, por u dënuan për kultivim bimësh narkotike.
Aktiviteti kriminal nisi në fund të vitit 2021 dhe u zhvillua nga qershori deri në nëntor 2022. Më 10 nëntor 2022, gjatë operacionit, u sekuestruan rreth 871 kilogramë kanabis të përpunuar, armë zjarri dhe municion. Kultivimi kryhej në katër sera në zonën e Rërës, Drenovicë të Beratit, në një sipërfaqe prej 10 deri në 27 dynymësh. Grupi rekrutonte punëtorë nga qytete të ndryshme, duke u ofruar pagesa të larta, transport dhe akomodim. Në të njëjtin operacion u identifikuan edhe 93 gra punëtore.