Dy persona u vunë në paraburgim në Serbi, të dyshuar si agjentë të shërbimit sekret rus që kishin planifikuar vendosjen e lëndëve shpërthyese në Gjermani. Arrestimi i tyre u krye nga forcat speciale në fillim të qershorit në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë.
Sipas mediave gjermane, në valixhen e të dyshuarve u gjetën lëndë shpërthyese. Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që objektivi të ketë qenë një infrastrukturë lidhur me prodhimin ose furnizimin e pajisjeve ushtarake për Ukrainën. Të dyshuarit, me inicialet B.D. dhe Gj.S., janë në paraburgim që nga 12 qershori. Gjykata serbe ka zgjatur masën e sigurisë edhe për një muaj, megjithëse vendimi nuk ka marrë ende formë të prerë.
Informacionet nga autoritetet gjermane të sigurisë dhe shërbimet inteligjente ishin vendimtare për ndalimin e tyre. Ministri Federal i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, deklaroi në qershor se shërbimet e sigurisë kishin parandaluar një sulm me eksploziv në territorin gjerman. Ai e cilësoi çështjen si tepër konfidenciale.