Reforma gjermane e pensioneve do të zbatohet gradualisht dhe parashikon dy ndryshime thelbësore: rritjen e moshës së daljes në pension dhe financimin e një pjese të pensioneve përmes tregut të aksioneve. Gazetari Auron Dodi shpjegoi se punonjësit aktualë do të preken me ndryshime minimale në moshën e pensionit.
Një nga risitë kryesore është krijimi i një fondi shtetëror aksionesh. Punonjësit do të kontribuojnë fillimisht me 0.5% të pagës bruto, kontribut që do të arrijë në 2% deri në vitin 2031. Këto fonde do të investohen në tregun e kapitalit për të gjeneruar të ardhura shtesë për pensionistët. Kjo qasje është e ngjashme me modelin suedez. Parashikohet që një kontribuues për 20 vite të përfitojë rreth 150 euro shtesë në muaj, ndërsa për 45 vite kontribut përfitimi mund të kalojë 770 euro.
Reforma zgjeron edhe bazën e kontribuesve, duke përfshirë të vetëpunësuarit dhe disa kategori të tjera që nuk kanë qenë plotësisht pjesë e sistemit. Migrantët janë një faktor kyç për ekonominë gjermane, duke zënë rreth një të pestën e fuqisë punëtore. Megjithatë, migrantët e ardhur vonë ose me ndërprerje në kontribute mund të përfitojnë pensione më të ulëta, pasi sistemi favorizon kontributet afatgjata.
Berlini synon të krijojë një sistem më të qëndrueshëm përballë plakjes së popullsisë dhe mungesës së fuqisë punëtore. Kjo reformë po ndiqet me interes në Evropë, pasi mund të shërbejë si model për vende të tjera dhe të nxisë zhvillimin e një tregu të përbashkët kapitali në BE.