Këto ndryshime, të cilat pritet të hyjnë plotësisht në fuqi në vitin 2028, u prezantuan të enjten nga kancelari Friedrich Merz. Ai theksoi se synimi kryesor është rikthimi i Gjermanisë në rrugën e rritjes ekonomike.
Sipas reformës, familjet me dy fëmijë dhe të ardhura të tatueshme prej 60 mijë eurosh në vit do të paguajnë mbi 600 euro më pak tatime. Familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme do të shohin gjithashtu ulje të barrës tatimore për shkak të rritjes së pjesës së patatueshme të të ardhurave, veçanërisht për fëmijët. Shteti do të rrisë ndihmat financiare për fëmijët dhe do të ulë tatimet në pagat e punonjësve. Kjo do të lërë rreth 10 miliardë euro më pak të ardhura nga tatimet në buxhetin shtetëror.
Për të kompensuar këtë humbje, qeveria do të rrisë tatimin për të pasurit. Norma tatimore do të jetë 45% për të ardhurat e tatueshme mbi 250 mijë euro në vit dhe 47% për të ardhurat mbi 280 mijë euro.
Në tregun e punës, ministrja Barbel Bas njoftoi se kontratat e përkohshme mund të zgjasin deri në katër vjet, me mundësi zgjatjeje deri në gjashtë vjet. Gjithashtu, punëdhënësit mund të ripërdorin të njëjtën person me kontrata të përkohshme, një ndryshim nga rregullat e mëparshme. Për pushimet mjekësore, nuk do të pranohen më vetëm njoftimet telefonike; punonjësit do të duhet të paraqesin vërtetim mjekësor që nga dita e parë e mungesës.
Reforma synon gjithashtu të ulë burokracinë, duke shfuqizuar detyrimet ligjore të raportimit për institucionet shtetërore, duke mbajtur vetëm ato të konsideruara të domosdoshme. Pritet edhe rritja e moshës së pensionimit në 67 vjeç.