Koalicioni qeverisës në Gjermani ka paralajmëruar ndryshime në rregullat e pushimit mjekësor. Sipas planit të ri, punëtorët do të duhet të paraqesin vërtetim mjekësor tek punëdhënësi që në ditën e parë të sëmundjes. Aktualisht, vërtetimi kërkohet pas ditës së tretë të mungesës, megjithëse punëdhënësit mund ta kërkojnë më herët.
Kancelari Friedrich Merz argumentoi se numri i ditëve të pushimit mjekësor në Gjermani është “tepër i lartë”, duke theksuar se vendi nuk mund të përballojë këtë disavantazh konkurrues nga mungesat e gjata në punë. Ai shtoi se po rikthehen rregullat para-pandemike. Plani përfshin edhe heqjen e mundësisë për të marrë pushim mjekësor përmes telefonit, një praktikë e miratuar gjatë pandemisë COVID-19.
Ky propozim është dakorduar nga Unioni Kristian-Demokrat (CDU) i Merzit dhe Partia Socialdemokrate e Gjermanisë. Kreu i grupit parlamentar të CDU-së, Jens Spahn, mbrojti nismën, duke deklaruar se Gjermania ka një nga normat më të larta të pushimeve mjekësore në Bashkimin Evropian, me rreth 18 ditë mungesë në vit për çdo punonjës.
Shoqatat mjekësore kanë reaguar ashpër. Shoqata Kombëtare e Mjekëve të Sigurimeve Shëndetësore (KBV) e quajti detyrimin e mijëra pacientëve për t'u paraqitur në ordinanca vetëm për një formular “në kufijtë e absurditetit”. Sipas tyre, personat me infeksione duhet të qëndrojnë në shtëpi, jo të presin në ambulanca të mbushura.
Pas kundërshtimeve, përfaqësues të SPD-së u përpoqën të zbusin retorikën. Zëvendëskancelari Lars Klingbeil theksoi synimin për zgjidhje të zbatueshme. Ministrja e Punës, Bärbel Bas, njoftoi se do të shqyrtohet nëse detyrimi për vërtetim nga dita e parë sjell rezultate apo vetëm vështirësi shtesë. Këto ndryshime janë pjesë e një pakete më të gjerë reformash për rigjallërimin e ekonomisë gjermane, duke përfshirë taksat, tregun e punës dhe pensionet.