Gjykata e shpalli 41-vjeçarin, i identifikuar si Johannes M., fajtor për vrasjen e 12 grave dhe 3 burrave. Krimet u kryen midis shtatorit 2021 dhe korrikut 2024. Viktimat ishin të moshës 25 deri në 94 vjeç dhe ndodheshin në gjendje të rëndë shëndetësore, por nuk ishin në prag të vdekjes.

Prokurorët deklaruan se mjeku u jepte pacientëve një kombinim vdekjeprurës ilaçesh pa pëlqimin e tyre gjatë vizitave në shtëpi. Në disa raste, ai u përpoq t'u vinte zjarrin banesave për të fshehur gjurmët e krimit. Në korrik 2024, pak para arrestimit, mjeku vrau dy pacientë brenda të njëjtës ditë.

Gjatë procesit gjyqësor, mjeku fillimisht nuk dha deklarata. Muajin e kaluar, ai pranoi se kishte "vrarë njerëz", duke iu referuar 12 pacientëve. Ai u shpreh se besonte se po vepronte drejt, duke menduar se po i shpëtonte pacientët nga vuajtjet. Ai kërkoi falje për vuajtjet e shkaktuara.

Autoritetet po hetojnë aktualisht edhe 76 raste të tjera, pasi dyshohet se mjeku mund të ketë vrarë pacientë të tjerë. Nëse këto dyshime provohen, rasti do të konsiderohet si një nga vrasjet serike më të rënda në historinë e Gjermanisë. Përveç burgimit të përjetshëm, gjykata urdhëroi mbajtjen e tij në paraburgim parandalues dhe ndalimin e përhershëm të ushtrimit të profesionit të mjekut.