Zoti Kllokoqi theksoi se mungon një koncept i bërë publik për investimin e gazit. Sipas tij, për të vlerësuar një projekt të tillë, Kosova duhet të qartësojë nevojën për gaz dhe kërkesën ekzistuese.

Një mundësi është përdorimi i gazit për ndërtimin e një termocentrali për prodhimin e energjisë elektrike. Kllokoqi sugjeroi që ky projekt të analizohet në kontekstin e tregut të energjisë dhe të krahasohet me burimet e tjera. Një mundësi tjetër e përmendur është ndërtimi i një gazsjellësi për transportimin e gazit nëpërmjet Kosovës. Kjo e fundit konsiderohet investim strategjik, pasi lejon një partner të përdorë territorin.

Kllokoqi theksoi se çdo projekt gazi duhet të ketë një koncept të detajuar që përcakton qartë mënyrën e realizimit dhe përfitimet.

Ndërkohë, SHBA-ja ka kërkuar përfshirjen e Kosovës në projektin rajonal të gazit amerikan. Qeveria në detyrë, nëpërmjet ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deponoi në Ambasadën Amerikane një kërkesë për mbështetje për projekte të lidhura me gazifikimin e qymyrit, duke iu referuar rezervave të linjitit dhe politikave të Presidentit Donald Trump. Megjithatë, Kllokoqi e sheh idenë e gazifikimit të thëngjillit si një deklaratë politike, pasi mungon një studim fizibiliteti.