Operacioni i koduar “Basti i Fundit” çoi në pranga Lutfi Dervishin, Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Fushë-Krujë. Ai dyshohet për shpërdorim detyre dhe organizim të lojërave të fatit. Gjatë kontrollit në banesën e tij, u sekuestruan 119 fishekë të kalibrit 9 mm.
Në kuadër të të njëjtit operacion, u arrestuan edhe Sabah Stafuka dhe Fatmir Stafuka, banues në Arrameras të Fushë-Krujës. Këta dy persona akuzohen për organizimin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, si dhe për prodhimin e shitjen e narkotikëve.
Nga kontrollet në ambientet e dyshuara, AMP sekuestroi katër pajisje elektronike për lojëra fati, dy serverë kompjuterikë, një pajisje DVR, tre telefona celularë dhe rreth 6.6 gramë lëndë narkotike e ndarë në doza. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore theksoi se hetimet vazhdojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.