Ceremonia e diplomimit u shoqërua me emocione të thella nga kadetët dhe familjarët e tyre. Ajo shënon kurorëzimin e viteve të përkushtimit dhe sakrificës, si dhe fillimin e një përgjegjësie të re në shërbim të Kosovës.

Dardan Syla, i cili mori vlerësimin më të lartë të gjeneratës, shprehu krenari dhe nderim. Ai theksoi se historia dhe e kaluara e lavdishme e Kosovës kanë shërbyer si frymëzim për të dhe kolegët e tij.

Safet Syla, babai i Dardanit dhe ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ndoqi me krenari momentin kur djali i tij u shpall më i dalluari. Ai vlerësoi diplomimin si një kujtim të amanetit të dëshmorëve për ndërtimin e një ushtrie profesionale dhe moderne. Syla shprehu se ndien përgjegjësi për të mbajtur këtë amanet.

Kadeti Jahir Fazliu, gjithashtu, e përshkroi ditën e diplomimit si shpërblim të katër viteve plot sfida. Ai theksoi se motivi kryesor ishte gjaku i dëshmorëve, lufta, si dhe mbështetja nga prindërit dhe familja. Bafti Nazifi, një tjetër kadet, mbajti flamurin e UÇK-së, duke e cilësuar si simbolin që e frymëzoi drejt uniformës së FSK-së. Ai shprehu dëshirën për t’i shërbyer vendit dhe flamurit deri në vdekje. Të gjithë kadetët bënë betimin për t'i shërbyer Republikës së Kosovës.