Vladimir Putin po përballet me një situatë gjithnjë e më të vështirë, vlerëson revista amerikane Forbes. Analiza tregon se qëndrimi i tij në pushtet mund të mos ketë një afat të qartë, nëse trendet aktuale politike dhe ushtarake vazhdojnë. Sulmet me dronë nga Ukraina kanë ndikuar në furnizimin me karburant në Krime, duke krijuar radhë të gjata dhe probleme logjistike gjatë sezonit turistik. Ura e Kerçit cilësohet si një korridor kyç furnizimi dhe pikë strategjike me rëndësi simbolike dhe operacionale për Rusinë.

Imazhi i luftës ka ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin politik. Kur pasojat bëhen të dukshme për opinionin publik, ato mund të prekin edhe legjitimitetin e pushtetit, duke sinjalizuar një erozion gradual të besueshmërisë së Putinit. Ekzistojnë edhe tensione të brendshme brenda elitave ruse. Blogerët ushtarakë paralajmërojnë për pakënaqësi dhe rritje të frikës politike në nivelet e larta të shtetit. Këto zhvillime mund të krijojnë një klimë pasigurie në kampin politik rus, ku zyrtarë dhe figura të afërta me pushtetin shqetësohen për të ardhmen e tyre në rast destabilizimi.

Forbes përmend disa skenarë të mundshëm për të ardhmen politike të Putinit. Këtu përfshihen një largim i detyruar nga pushteti, një përmbysje e dhunshme ose një proces gjyqësor simbolik që do ta kthente atë në “kokë turku” për politikat e Kremlinit. Nëse situata aktuale vazhdon të përkeqësohet, revista vlerëson mundësinë që Putin të humbasë pushtetin brenda tre viteve të ardhshme.