Imami Labinot Maliqi, i Xhamisë “Prof. Dr. Bedri Kamberi”, ngriti flamurin amerikan gjatë një ceremonie të shoqëruar me intonimin e himnit të SHBA-së. Ai theksoi se ngritja e flamurit është kthyer në një traditë që simbolizon mirënjohjen e popullit të Kosovës për Shtetet e Bashkuara.

Maliqi theksoi rëndësinë e këtij akti si një gjest mirënjohjeje të sinqertë. Ai shtoi se Dita e Pavarësisë së SHBA-së përkujton lindjen e një shteti të ndërtuar mbi parime si dinjiteti njerëzor, liria dhe të drejtat themelore, të cilat burojnë nga Krijuesi.

Imami gjithashtu nënvizoi se një nga shtyllat kryesore të SHBA-së është liria e besimit dhe ndërgjegjes. Ai theksoi se populli i Kosovës, duke përjetuar luftën dhe mungesën e lirisë, kupton thellësisht vlerën e lirisë dhe të një aleati të sinqertë.

Në fund të ceremonisë, Maliqi shprehu mirënjohjen e Kosovës ndaj SHBA-së, duke e lidhur falënderimin edhe me mësimet fetare. Ai deklaroi: “Faleminderit, Amerikë! Faleminderit për miqësinë e qëndrueshme! Faleminderit për mbështetjen e palëkundur! Faleminderit për kontributin historik në lirinë, paqen dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës!”