Vlerësimi u bë në mbyllje të festivalit, i cili u mbajt nga 26 qershori deri më 5 korrik. Filmi triumfoi në kategorinë prestigjioze “CineMasters”, ku konkurronte me rreth 200 filma nga mbarë bota, përfshirë vepra të vlerësuara në festivale si Kanë dhe Berlinale. Ky çmim shoqërohet edhe me një shpërblim prej 15 mijë eurosh për producentët.
Aktori Astrit Kabashi, i cili luan rolin kryesor, konfirmoi lajmin, duke theksuar konkurrencën e fortë. Ai theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në festivale të tilla prestigjioze për filmin dhe kinematografinë vendase.
Ky sukses në Mynih vjen rreth gjashtë muaj pas premierës botërore të filmit në Festivalin e Filmit Sundance, ku “Shame and Money” fitoi Çmimin e Madh të Jurisë. Filmi, një bashkëprodhim i Gjermanisë, Kosovës, Shqipërisë dhe Sllovenisë, ka pasur dy shfaqje zyrtare në kuadër të garës “CineMasters” në Mynih, më 28 qershor dhe 3 korrik.
Pas suksesit në Mynih, “Shame and Money” niset për në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Karlovy Vary, Çeki, i cili zgjat deri më 11 korrik. Atje, filmi do të garojë në kategorinë “Horizons” dhe është programuar për t'u shfaqur më 5, 6 dhe 10 korrik. Gjithashtu, pjesëmarrja e filmit është paralajmëruar edhe në Festivalin e Filmit në Sarajevë gjatë muajit gusht.