Procesi, i konsideruar historik dhe një provë për institucionet demokratike, pritet të zgjasë 92 ditë. Ky është rasti i parë në historinë e vendit që një zëvendëspresident përballet me një gjyq shkarkimi në Senat.
Mbi 6,000 efektivë policie u vendosën rreth ndërtesës së Senatit për të garantuar sigurinë, ndërsa jashtë u zhvilluan protesta nga mbështetësit dhe kundërshtarët e Duterte. Gjyqi zhvillohet në sfondin e përplasjes politike mes familjeve Duterte dhe Marcos.
Muajin e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve, e dominuar nga aleatët e presidentit Ferdinand Marcos Jr., votoi për ngritjen e akuzave ndaj 48-vjeçares. Sara Duterte akuzohet për keqpërdorim të fondeve publike, grumbullim të pasurisë së pajustifikuar dhe kërcënime publike ndaj presidentit Marcos, bashkëshortes së tij dhe një aleati politik.
Një nga akuzat lidhet me një deklaratë të bërë në nëntor 2024, ku ajo tha se nëse do të vritej, dikush duhej të vriste edhe presidentin. Në seancën hapëse, prokuroria u fokusua te akuzat për korrupsion, duke theksuar se edhe zyrtarët e lartë duhet të mbajnë përgjegjësi para ligjit.
Duterte ka mohuar të gjitha akuzat dhe nuk ishte e pranishme në seancën e parë. Avokatët e saj e cilësuan procesin si politikisht të motivuar. Nëse Senati e shpall fajtore me të paktën 16 vota nga 24 senatorët, Sara Duterte rrezikon shkarkimin nga detyra dhe ndalimin e përhershëm nga postet publike, çka do t’i jepte fund ambicieve të saj për presidencën në vitin 2028.
Pak orë para nisjes së gjyqit, autoritetet arrestuan dy aleatë të Duterte-s, përfshirë senatorin Rodante Marcoleta, me akuza për korrupsion, duke rritur tensionet politike.