Skënder Hita, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, njoftoi pezullimin e një punonjësi policie në Fier. Pezullimi erdhi pas ngjarjes së dhunës ndaj një të miture nga bashkëmoshatare, videoja e të cilës u publikua dhe shkaktoi reagime.
Hita theksoi se efektivi u pezullua për shkelje të standardeve profesionale dhe cenim të figurës së Policisë. Ai sqaroi se punonjësi nuk dyshohet për publikimin e videos. Shkak për masën disiplinore ishte krijimi i një marrëdhënieje të panevojshme me vajzat e përfshira në veprimet e kundërligjshme.
Lidhur me rastin e dhunës, Hita bëri me dije se janë kryer veprime procedurale dhe hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë. Njëra prej vajzave agresore, e cila kishte precedent të mëparshëm, është arrestuar.