Prindërit e 15-vjeçares thanë se ngjarjen e mësuan nga mediat, para se të shoqëroheshin në polici për dëshmi. Nëna e vajzës dhunuese iu drejtua familjes së viktimës me ndjesë, duke theksuar se ishte thellësisht e prekur nga incidenti.

Prindërit zbuluan se vajza e tyre ishte diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor tre muaj më parë. Ata pretendojnë se kanë kërkuar ndihmë nga institucionet për trajtimin e saj, por pa sukses. Sipas tyre, ajo kishte shfaqur episode agresiviteti edhe më herët, megjithatë kërkesat e tyre për mbështetje nuk janë marrë në konsideratë.

Familja ka shprehur pamundësi ekonomike për të përballuar kurimin e specializuar dhe u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore të ndërhyjnë. Ata theksojnë se nuk duan të justifikojnë veprimet e së bijës, por kërkojnë që, krahas përgjegjësisë ligjore, të adresohet edhe nevoja për trajtimin e saj mjekësor dhe psikologjik.