Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka njoftuar arrestimin e një 15-vjeçareje më 28.06.2026, pasi nëna e saj e denoncoi për dhunë fizike. Kjo adoleshente ishte njëra prej tri vajzave të përfshira në dhunimin dhe filmimin e një 17-vjeçareje, ngjarje e ndodhur më 08.06.2026.

Vajza e arrestuar është dërguar për trajtim në një institucion shëndetësor të specializuar për shëndetin mendor në Tiranë.

Ngjarja e dhunimit të 17-vjeçares u bë publike pas shpërndarjes së videos në rrjetet sociale. Viktima, e shoqëruar nga nëna, denoncoi në Komisariatin e Policisë Fier se ishte dhunuar dhe filmuar në banesën e një 19-vjeçareje, L. L., si dhe nga dy 15-vjeçare të tjera. Pas kallëzimit, policia shoqëroi tri vajzat, të cilat deklaruan se kishin ushtruar dhunë për motive të dobëta.

Më 09.06.2026, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje” në ngarkim të tri adoleshenteve.