Zoti Fetoshi thekson se ky akt, i cili pason heroizimin e Milan Radoiçiqit nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, nuk është rast i izoluar. Ai e cilëson këtë si pjesë e një strategjie për të legjitimuar narrativën serbe mbi luftën në Kosovë, 27 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s.

Sipas Fetoshit, Marinkoviq, e dekoruar me Urdhrin e Shën Savës nga Patriarku Porfirije, ka “legalizuar” krimet e luftës dhe ka falsifikuar të vërtetën për masakrën e Reçakut. Autoritetet serbe e paraqesin këtë si mbrojtje të viktimave serbe, ndërsa Fetoshi e sheh si heroizim të atyre që kanë qenë pjesë e politikës mohuese të krimeve të luftës.

Drejtori i Institutit Octopus vlerëson se veprimet e tilla pasqyrojnë vazhdimësinë e politikës së dhunës. Ai vë në dukje rolin e Kishës Ortodokse Serbe në legjitimimin e saj. Dekorimi i Marinkoviqit “sakralizon trashëgiminë gjenocidale të Serbisë”, ndërsa heroizimi i Radoiçiqit “legjitimon vazhdimin e dhunës për qëllimet e politikës hegjemoniste”.

Fetoshi ka bërë thirrje për ekspozimin e vazhdueshëm të Serbisë në qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes, përfshirë Uashingtonin, Brukselin, Londrën, si dhe në Tiranë, Shkup dhe Podgoricë.