Hapja e festivalit, mbajtur të shtunën në “Marigona Hill” afër Prishtinës, solli në skenë tingujt e rock-ut dhe këngët e “Minatorit”, të cilat për më shumë se katër dekada janë pjesë e kujtesës kolektive të Kosovës. Publiku këndoi bashkë me bendin, duke dëshmuar jetëgjatësinë e këngëve të tyre, të cilat ende zgjojnë kujtime dhe rikthejnë atmosferën e Prishtinës së dikurshme.

Frontmeni Naser Gjinovci shprehu privilegjin e grupit për të qenë pjesë e këtij festivali dhe lumturinë që këngët e tyre vazhdojnë të jetojnë dhe të barten brez pas brezi. Drejtori artistik i festivalit, Besmir Vokopola, theksoi se hapja me “Minatorin” kishte qëllim të krijonte ura komunikimi mes zhanreve të ndryshme artistike, duke e konsideruar cilësinë artistike si mision kryesor të RLIOF-it.

Koncerti përfshiu balada si “A thua ëndërr ishe ti”, këngë energjike si “E di se s’do të shoh” dhe “Me dikon me t’pa”, si dhe këngë me tematikë politike si “Krejt njëjtë”. Performanca kulmoi me “Mihanja” dhe hitet “Të dua sa Kosovën” e “Molla me sherbet”. Gjithë mbrëmja u shoqërua me pamje arkivore të grupit dhe fotografi të Prishtinës së dikurshme.

Edicioni i sivjetëm i festivalit do të zgjasë gjatë gjithë muajit korrik dhe, përveç netëve operistike, do të ofrojë edhe jazz, masterklasë, koncerte për talente të reja, dhe mbrëmje dedikuar Nexhmije Pagarushës. Festivali mbyllet me gala-mbrëmjen “Ramë Lahaj & Friends” më 29 korrik, me yjet si sopranoja Elbenita Kajtazi dhe tenori Charles Castronovo.