Festivali i Arkitekturës në Kosovë (KAF), një ndër ngjarjet më të mëdha të arkitekturës në rajon, ka startuar edicionin e 14-të. Tema qendrore e këtij viti është "The City After – Design in an Age of Crises" (Qyteti Pas – Dizajni në Kohë të Krizës), e cila synon të nxisë diskutime rreth rolit të arkitekturës dhe dizajnit urban në periudha pasigurie, konfliktesh dhe transformimesh shoqërore.

Programi i festivalit përfshin 13 ligjërata publike, tri punëtori të fokusuara në territoret palestineze, si dhe tri ture arkitektonike. Për herë të parë, festivali ka lançuar edhe një program bursash për arkitektë të rinj nga Palestina. Këta arkitektë do të udhëheqin punëtori dhe do të mbajnë ligjërata.

Organizatorët shprehen se tema "The City After" trajton ndikimin e krizave globale në zhvillimin urban. Ajo sfidon profesionistët dhe qytetarët të reflektojnë mbi mënyrat e rindërtimit të qyteteve pas konflikteve, katastrofave dhe krizave sistemike. Qytetet kudo në botë po formësohen nga kriza të tilla si luftërat, fatkeqësitë klimatike, paqëndrueshmëria ekonomike dhe migrimi i detyruar, të cilat transformojnë peizazhin urban me shpejtësi të paprecedentë.

Festivali synon të shtrojë pyetje thelbësore për të ardhmen e qyteteve dhe rolin e arkitekturës në proceset e rindërtimit dhe transformimit shoqëror. Përmes aktiviteteve të ndryshme, KAF kërkon të krijojë një platformë dialogu ndërkombëtar mbi mënyrën si arkitektura dhe dizajni mund të përgjigjen sfidave aktuale. Këto përpjekje kontribuojnë në ndërtimin e qyteteve më të drejta, të qëndrueshme dhe shpresëdhënëse.