Pas një ndërprerjeje trevjeçare, festivali “Erdhlezeti” u kthye në Prishtinë të dielën mbrëma, duke shndërruar hapësirën para Qeverisë së Kosovës në një qendër muzikore. Ky rikthim theksoi filozofinë e bashkimit të njerëzve përmes muzikës dhe kulturës.

Programi i festivalit filloi me grupet vendore “La Fazani”, “Hawolf” dhe “Rilindja”, të cilat sollën rock alternativ dhe muzikë moderne shqipe. Atmosfera kulmoi me performancat e “Antwerp Gipsy Ska Orkestra” nga Belgjika dhe “Demir Kan Brass Orchestra” nga Maqedonia e Veriut.

Gregor Engelen, lideri i “Antwerp Gipsy Ska Orkestra”, shprehu kënaqësinë për performancën në Prishtinë, duke theksuar se ishte një dëshirë e hershme e grupit. Ai tregoi se lidhja me Kosovën ishte krijuar 15 vjet më parë me organizatorin Bajram Kinolli-Kafu, ndërsa inspirimi për muzikën e tyre erdhi nga muzika ballkanike e zbuluar përmes filmave të Emir Kusturicës dhe Goran Bregoviqit.

“Demir Kan Brass Orchestra” nga Shkupi solli energjinë e muzikës rome ballkanike, duke përmbyllur mbrëmjen. Lideri i grupit, Demir Kanturovsky, shpjegoi se zgjodhën një repertor autentik rom, duke theksuar se çdo koncert është një shkëmbim energjie me publikun.

Bajram Kinolli-Kafu, drejtori i festivalit, e quajti rikthimin jo vetëm një vazhdim kulturor, por edhe fillimin e një kapitulli të ri. Ai theksoi qëllimin e festivalit për të përfshirë të gjitha komunitetet përmes një përzierjeje zhanresh muzikore.