Drejtori i ekipit, Fred Vasër, theksoi rëndësinë e kësaj strategjie pas fitores së Sharl Lëklerk në Silverston. Ai ndalon rreptësisht diskutimet rreth fitores së titullit botëror, duke vënë theksin te përmirësimi i vazhdueshëm dhe përqendrimi te çdo garë e ardhshme.
Kjo filozofi e re, e zhvilluar që nga viti i kaluar, ka transformuar ambientin në Maranelo. Ajo shmang zhgënjimet në dështime dhe euforinë e tepruar pas fitoreve. Vasër ka drejtuar këtë ndryshim të brendshëm së bashku me Jerom d’Ambrosio dhe Mateo Tonjinali, duke identifikuar rolet kyçe dhe duke u dhënë liri pilotëve Lëklerk dhe Hamilton për të ndjekur metodologji të ndryshme teknike.
Sharl Lëklerk konfirmoi se rikthimi në mënyrën e tij të punës solli përmirësim. Ai falënderoi ekipin e tij, përfshirë inxhinierin e garës Brian Boci, trajnerin Andrea Ferrari dhe inxhinierin e performancës Johanes Hatz. Edhe Luis Hamilton ka gjetur ekuilibrin me inxhinierin e ri Karlo Santi. Vasër thekson se thelbësor është besimi brenda grupit dhe kontributi i çdo anëtari për suksesin e përbashkët.