Protesta vjen si pasojë e ndërprerjes së grumbullimit të qumështit të freskët dhe mungesës së reagimit nga institucionet. Fermerët kërkojnë rifillim të menjëhershëm të grumbullimit dhe publikim urgjent të rezultateve të analizave për produktet vendore, për të larguar çdo dyshim.

Një kërkesë tjetër është ndalimi i importit të qumështit për të stabilizuar dhe kthyer çmimin në nivelin e mëparshëm. Kjo situatë u krijua pas mbylljes së përkohshme të fabrikës “Vita” në Istog javën e kaluar, pas një aksioni inspektues nga AUV dhe Ministria e Bujqësisë.

Kompania “Vita” deklaroi se mbyllja ishte vendim i saj dhe kërkoi nga AVUK-u publikimin e shpejtë të rezultateve të analizave. Megjithatë, Komisioni për Monitorim dhe Ndjekje të Punës së Inspektorëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë konstatoi se “Vita” ka shkelur vendimin e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, të datës 10 maj 2026. Ky vendim ndalon përdorimin e qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në fabrikat e përpunimit të qumështit.