Protesta, e organizuar nga Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit, fillon në orën 13:00. Fermerët do të marrin pjesë me traktorë, mjete bujqësore dhe cisterna me qumësht, duke shpërndarë qumësht falas për qytetarët.

Vendimi për protestë erdhi pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit të freskët nga fermat, situatë që rrezikon ekzistencën e shumë prodhuesve vendorë. Gjithashtu, mbyllja e përkohshme e fabrikës “Vita” në Istog pas një aksioni të autoriteteve ka shtuar shqetësimet.

Fermerët kanë tri kërkesa kryesore: rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit, publikimin urgjent të rezultateve të analizave për cilësinë e produkteve dhe rikthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit, duke theksuar se ulja aktuale po çon shumë ferma drejt falimentimit. Ata deklarojnë se nuk kanë marrë përgjigje konkrete nga institucionet përgjegjëse.