Në kulmin e sezonit, fermeri Eduart Shermadhi ka 3 dynym sera të mbushura me spec të pashitur. Ai deklaron se speci, sidomos ai djegës, nuk po shitet fare, pavarësisht investimeve të kryera prej janarit. Prodhimi, i cili doli në treg në mes të prillit, tani nuk gjen blerës.

Familja Shermadhi ka investuar në fidanë, plehra, trajtime dhe krah pune. Humbjet rriten çdo ditë, pasi speci humbet vlerën tregtare. Fermeri thekson se 1 dynym kërkon 2,500 lekë investim. Nëse speci nuk shitet, do të hidhet, pasi skuqja e tij e bën të pashitshëm. Kjo situatë mund të shkaktojë një dëm prej 10 milionë lekësh.

Çmimi i fundit i shitjes, 40 lekë për kilogram, nuk mbulon kostot e prodhimit. Fermerët theksojnë se vetëm trajtimet kundër insekteve kanë kushtuar mijëra lekë. Një çmim nën 70 lekë për kilogram e bën të pamundur nxjerrjen e investimit.

Përveç mungesës së tregut, fermerët përballen edhe me vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore sezonale, si pasojë e largimit të të rinjve. Fermerët e Cërrikut paralajmërojnë se një pjesë e madhe e specit rrezikon të mbetet e pashitur, duke sjellë pasoja të rënda ekonomike për familjet bujqësore.