Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, njoftoi se po asfaltohet pjesa e rrugës në fshatin Dardani të Ferizajt, e cila u dëmtua nga vërshimet. Institucionet reaguan menjëherë pas dëmeve të shkaktuara nga reshjet e së mërkurës.

Një ditë pas vërshimeve, ministri Basha inspektoi dëmet në terren. Po atë ditë, operatori ekonomik nisi punimet për sanimin e rrugës. Pas ndërhyrjeve fillestare, tani po bëhet asfaltimi i pjesës së dëmtuar, për ta rikthyer rrugën plotësisht në funksion.

Basha falënderoi qytetarët për mirëkuptimin gjatë punimeve, si dhe operatorin ekonomik bashkë me punëtorët për reagimin dhe angazhimin e shpejtë.