Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ndërmori masa ndaj tre shoferëve për shkelje të rregullave të trafikut, si pjesë e planit operativ për rritjen e sigurisë rrugore.

Në rastin e parë, një shofer 28-vjeçar, me inicialet N.B., u kap duke drejtuar një automjet Audi me 161 km/h në fshatin Rakaj, ku kufizimi i shpejtësisë është 50 km/h. Atij iu shqiptua një gjobë prej 500 euro, 5 pikë negative dhe iu ndalua drejtimi i mjetit për 6 muaj.

Një shofer tjetër, 23-vjeçari me inicialet D.Ç., humbi patentë-shoferin për 12 muaj. Ai kishte grumbulluar 10 pikë negative për kundërvajtje të rënda në trafik gjatë periudhës gusht 2025 – qershor 2026.

Rasti i tretë përfshiu një shofer 23-vjeçar, me inicialet A.H., i cili drejtonte një Opel Vivaro në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj. Ai tejkaloi në vijë të plotë dhe në vendkalim këmbësorësh, duke rrezikuar sigurinë. Për këtë shkelje, u gjobit me 200 euro, 2 pikë negative dhe ndalim drejtimi mjeti për 3 muaj. Kjo kundërvajtje u raportua nga një qytetar përmes platformës digjitale “Lajmëro Policinë”.

Policia Rajonale e Ferizajt u bëri thirrje qytetarëve për respektimin e rregullave të trafikut, duke theksuar se kontrollet e shtuara do të vazhdojnë për të rritur sigurinë në rrugë.