Ekspozita u çel të shtunën mbrëma në galerinë e “Marigona Hill” në periferi të kryeqytetit, duke u bërë pjesë e edicionit të gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Ramë Lahaj”. Ajo shpalos filozofinë artistike të Berishës mbi bukurinë, trupin, dritën dhe identitetin, me figurën e gruas në qendër. Ekspozita përfshin fotografi të realizuara gjatë karrierës së tij, disa prej të cilave shfaqen për herë të parë.
Berisha theksoi rëndësinë e këtij momenti, duke deklaruar se të qenit në vendlindje është “gjëja më e madhe në botë”. Ai shprehu dëshirën për të frymëzuar të rinjtë, duke përmendur masterklasat me studentët. Fotografi, i lindur në Kosovë dhe i rritur në SHBA, ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në industrinë globale të fotografisë.
Gjatë karrierës, Berisha ka realizuar editoriale për revista prestigjioze si “Vogue” dhe “Harper’s Bazaar”, si dhe ka fotografuar personalitete të njohura. Ai ka shërbyer si fotograf zyrtar për konkursin “Miss Universe”. Një pjesë e rëndësishme e punës së tij ka qenë promovimi i modeleve shqiptare si Marigona Dragusha dhe Zana Krasniqi në tregun ndërkombëtar.
Kuratorët e ekspozitës, Ovül O. Durmusoglu dhe Artan Korenica, kanë përzgjedhur vepra që pasqyrojnë evolucionin artistik të Berishës dhe qasjen e tij ndaj konceptit të bukurisë. Korenica, i cili ka bashkëpunuar me Berishën në Nju Jork, theksoi se përzgjedhja u bazua në fuqinë artistike të vetë fotografive, jo në famën e personazheve. Artistja Zake Prelvukaj e cilësoi Berishën si “ambasador të fotografisë shqiptare”.