Organizata Botërore Meteorologjike e OKB-së raportoi se temperaturat jo vetëm u thyen, por u tejkaluan ndjeshëm, duke e cilësuar ngjarjen si "të jashtëzakonshme". Shkencëtarët theksojnë se këto fenomene janë në përputhje me parashikimet për një planet në ngrohje, si pasojë e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga djegia e lëndëve djegëse fosile dhe emetimi i gazrave serrë.

Profesori Stephen Belcher, shkencëtar kryesor në Shërbimin Meteorologjik të Mbretërisë së Bashkuar (Met Office), deklaroi se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më intensive. Në qershor, temperaturat më të larta u regjistruan në jug të Anglisë dhe Uellsit jugor.

Stacioni meteorologjik në Lingwood, Norfolk, shënoi 37.7 gradë Celsius, duke thyer rekordin e mëparshëm të qershorit prej 35.6°C, të vendosur në vitin 1957 dhe të barazuar në vitin 1976. Rekorde të reja u regjistruan edhe në stacionet me të dhëna shumëvjeçare, në disa raste me mbi 2 gradë Celsius më shumë se maksimumet e mëparshme. Profesori Ed Hawkins nga Universiteti i Readingut theksoi se rritje të tilla të mëdha konsiderohen të jashtëzakonshme.

Vala e të nxehtit u shoqërua edhe me lagështi të lartë. Temperaturat mbetën të larta edhe gjatë natës, duke penguar pushimin e organizmit. Në Cardiff, nata mes 24 dhe 25 qershorit regjistroi një temperaturë minimale prej 23.5°C, nata më e ngrohtë e regjistruar ndonjëherë në qershor në Mbretërinë e Bashkuar. Shumica e Anglisë dhe Uellsit përjetuan të paktën një "natë tropikale", kur temperatura nuk bie nën 20°C, një fenomen që pritet të bëhet më i zakonshëm me rritjen e temperaturave globale.