Europol ka zbuluar një rrjet ndërkombëtar dhune seksuale, ku burrat drogonin dhe dhunonin gratë e tyre pas udhëzimeve të marra nga komunitetet mizogjene online. Operacioni "Medusa", i udhëhequr nga autoritetet britanike dhe gjermane, çoi në 57 arrestime fillestare dhe identifikimin e 156 personave të tjerë të dyshuar si autorë ose viktima.

Ky është operacioni i parë ndërkombëtar i fokusuar specifikisht kundër dhunës seksuale të lehtësuar nga substancat. Policitë nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Spanja, Holanda, Brazili dhe Shtetet e Bashkuara bashkëpunuan, me koordinimin analitik të Europol-it. Hetuesit identifikuan katër komunitete të reja mizogjene online, duke hapur 113 hetime penale dhe 274 pista të reja.

Abuzimet ndodhnin shpesh në shtëpi, ku viktimat drogoheshin me qetësues ose medikamente të përshkruara, duke shkaktuar humbje ndjenjash dhe amnezi. Komunitetet online shkëmbenin këshilla për sigurimin e substancave, planifikonin sulme dhe shpërndanin fotografi e video të abuzimeve. Ky fenomen mendohet të jetë shumë më i përhapur se sa tregojnë rastet e zbuluara, pasi shumë viktima nuk denoncojnë ose nuk kujtojnë ngjarjet.