Më 4 korrik 2004, në stadiumin “Estadio da Luz”, Greqia u shpall kampione e Evropës për herë të parë. Fitores historike të grekëve iu shtua drama e lotëve të Cristiano Ronaldos, atëherë 19-vjeçar, pas humbjes së finales në vendin e tij.

Skuadra e drejtuar nga trajneri gjerman Otto Rehhagel nisi turneun pa pritshmëri të mëdha. Rrugëtimi drejt titullit përfshiu një fitore 2-1 ndaj Portugalisë në fazën e grupeve, barazimin 1-1 me Spanjën dhe humbjen 2-1 ndaj Rusisë, çka i siguroi kalimin në çerekfinale.

Në fazën eliminatore, Greqia befasoi duke eliminuar Francën kampione në fuqi me golin e Angelos Charisteas. Në gjysmëfinale, kundër Republikës Çeke, ndeshja u vendos në kohën shtesë me “golin e argjendtë” të Traianos Dellas, i vetmi i këtij lloji në historinë e Kampionateve Evropiane.

Finalja kundër Portugalisë u vendos në minutën e 57-të. Pas një goditjeje këndi nga Angelos Basinas, Angelos Charisteas shënoi me kokë, duke vulosur rezultatin 1-0. Kapiteni Thodoris Zagorakis ngriti trofeun, ndërsa mijëra tifozë grekë festuan në stadium dhe në të gjithë Greqinë.