Klinika Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup ka konfirmuar laboratorikisht dy raste me ethe të Nilit Perëndimor. Të dy pacientët ndodhen në spital, nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore. Ata po trajtohen sipas rekomandimeve bashkëkohore mjekësore, dhe gjendja e tyre shëndetësore monitorohet me kujdes.

Ethet e Nilit Perëndimor janë një sëmundje virale. Ajo transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Shumica e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma, ose kanë simptoma të lehta. Megjithatë, një numër i vogël pacientësh, veçanërisht të moshuarit dhe ata me imunitet të dobësuar, mund të zhvillojnë komplikime të rënda neurologjike.

Klinika Universitare për Sëmundje Infektive u bën thirrje qytetarëve të marrin masa mbrojtëse kundër pickimeve të mushkonjave. Këto masa përfshijnë përdorimin e repelentëve, veshjen e rrobave me mëngë dhe këmbë të gjata në ambiente të hapura, si dhe vendosjen e rrjetave mbrojtëse.