Edemat, shpesh të perceptuara si kalimtare dhe të padëmshme, sidomos në ditët e nxehta, mund të jenë tregues i faktorëve të ndryshëm, nga mënyra e jetesës dhe ushqimi, deri te çrregullimet e sistemit limfatik dhe muskujve. Një rol kyç në lëvizjen e limfës luan diafragma. Qëndrimi i kërrusur dhe jeta sedentare mund të ngurtësojnë muskujt ndërbrinjorë, duke shtypur diafragmën dhe penguar qarkullimin limfatik, çka çon në ënjtje.

Limfa gjithashtu mund të grumbullohet në nyjat limfatike të ijëve, sqetullave dhe klavikulave. Shtrirja e muskujve në këto zona ndihmon në çlirimin e bllokimeve dhe në përmirësimin e qarkullimit.

Ushtrime dhe këshilla praktike:

  • Për lirimin e diafragmës: Shtrihuni në shpinë me gjunjë të përkulur, merrni frymë thellë duke zgjeruar brinjët, nxirreni ngadalë. Përsëriteni 10 herë. Më pas shtrihuni në bark, vendosni duart pas kokës dhe përsëriteni frymëmarrjen e thellë 10 herë.
  • Për ënjtjen e pjesës së poshtme: Uluni në një gju, bëni një hap të thellë përpara dhe qëndroni në pozicion për katër minuta për secilën këmbë.
  • Për ënjtjen e duarve dhe fytyrës: Uluni në karrige të ulët me krahët e përkulur, paralel me dyshemenë. Gjatë nxjerrjes së frymës, tërhiqni bërrylat prapa, duke afruar shpatullat. Përsëriteni 10 herë.
  • Për fryrjen e barkut: Shtrihuni në shpinë me gjunjë të përkulur. Nxirrni frymën thellë me zë, duke ndier kërthizën që tërhiqet drejt shtyllës kurrizore. Shtypni pjesën e poshtme të shpinës në dysheme dhe merrni frymë me kraharor për katër minuta në ditë.
  • Ecja aktive: Lëvizja e muskujve ndihmon në lëvizjen e limfës. Ecni rregullisht, me çfarëdo ritmi, për të aktivizuar muskujt dhe parandaluar ngecjen e limfës.
  • Ushqimi dhe hidratimi: Siguroni marrjen e mjaftueshme të lëngjeve. Kujdes me konsumin e karbohidrateve të thjeshta, pasi 1 gram karbohidrate lidhet me disa gramë ujë në organizëm, duke kontribuar në mbajtjen e lëngjeve dhe ënjtje. Një qasje e ekuilibruar ushqimore është thelbësore.