Sektori i energjisë elektrike është një sfidë kryesore për bizneset kosovare, pasi vështirëson prodhimin dhe eksportin e produkteve në tregun rajonal. Këtë e bëri të ditur kryetari i Shoqatës së Prodhuesve në Kosovë, Kushtrim Ajvazi, gjatë një tryeze diskutimi me temë “Gazi si burim i energjisë: Gjendja aktuale dhe perspektiva”, organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Instituti Riinvest.

Ajvazi veçoi si pengesa kryesore luhatjet e çmimit të energjisë elektrike në tregun e hapur dhe taksën e karbonit. Ai shtoi se në vitet e fundit, bizneset janë përballur me probleme të theksuara në furnizim, duke shkaktuar ndërprerje prodhimi me ditë të tëra në disa rajone. Kjo situatë nxjerr në pah nevojën për diversifikimin e burimeve të energjisë, për të ulur varësinë nga një burim i vetëm.

Edhe Lulzim Rafuna, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, theksoi rëndësinë e një tregu më konkurrues të energjisë elektrike për zhvillimin e ekonomisë. Sipas Rafunës, ndërprerjet dhe rritja e çmimeve të energjisë rrisin kostot e prodhimit, duke dëmtuar konkurrueshmërinë e bizneseve, konsumatorëve dhe ekonomisë në përgjithësi. Ai kërkoi një treg energjetik që nxit konkurrencën për të mbështetur eksportet, industrinë dhe punësimin.

Alban Hashani, drejtor ekzekutiv i Institutit Riinvest, konfirmoi se sfida kryesore për Kosovën nuk është furnizimi me gaz, por siguria e furnizimit me energji elektrike. Ai përmendi krizën e vitit 2022 si dëshmi të kostove të larta të importit kur sistemi energjetik nuk ka alternativa. Që nga vera e vitit të kaluar, bizneset e mëdha operojnë në tregun e hapur të energjisë, ku duhet të sigurojnë vetë furnizuesin.