Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e vitit 2007, duke kthyer emrat e vjetër të rrugëve dhe shesheve në Tetovë. Ky vendim vjen pas kontestimeve lidhur me ligjshmërinë e procedurave të ndjekura për ndryshimin e emrave.
Resi Abdurahmani, ish-kryetar i Këshillit Komunal (2005-2009), deklaroi se procedura ka qenë legjitime dhe me konsensus politik. Sipas tij, lista e emrave i ishte dërguar Ministrisë së Transportit. Ai theksoi se moskthimi i përgjigjes brenda afatit ligjor nga qeveria u konsiderua si pëlqim në heshtje.
Nga ana tjetër, zëvendëskryetari aktual i Tetovës, Albi Qamili, paraqiti korrespondencë me Gjykatën Kushtetuese. Ai pretendon se në arkivat zyrtare nuk ekziston asnjë dëshmi që vendimi për ndryshimin e emrave të ishte dërguar ndonjëherë në Qeveri për pëlqim. Qamili vlerëson se Këshilli Komunal i asaj kohe nuk e dërgoi vendimin për miratim dhe u thirr në nen të gabuar të ligjit.
Ish-kryetari i këshillit komunal, Abdurahmani, këmbëngul se komuna kishte kryer çdo veprim ligjor. Udhëheqësia aktuale ka formuar komision për zgjidhjen e rastit. BDI, si parti opozitare, ka paralajmëruar protesta për ditën e shtunë, më 11 korrik.