Dy tankerë nafte të Emirateve të Bashkuara Arabe, "Mombasa B" dhe "Al Bahyah", u goditën nga raketa iraniane në Ngushticën e Hormuzit. Si pasojë e sulmit, një anëtar indian i ekuipazhit humbi jetën dhe tetë të tjerë u plagosën. Katër nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë; gjashtë janë shtetas indianë dhe dy ukrainas.

Ministria e Mbrojtjes e Emirateve theksoi se sulmi ndodhi në korsinë jugore të ngushticës, në ujërat territoriale të Omanit. Anëtari i vdekur i ekuipazhit ndodhej në bordin e anijes "Mombasa B". Kompania Kombëtare e Naftës Abu Dhabi (ADNOC L&S) konfirmoi se të dy tankerët pësuan dëme të konsiderueshme dhe se zjarret e shkaktuara nga sulmi janë vënë nën kontroll.

Qendra e sigurisë detare e Omanit evakuoi 18 anëtarë të ekuipazhit nga anija "Al Bahyah", ndërsa tre të tjerë mbeten të zhdukur. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) deklaroi se goditi dy supertankerë “shkelës” në Ngushticën e Hormuzit, pasi injoruan paralajmërimet dhe fikën sistemet e navigimit, duke u përpjekur të kalonin në një rrugë të minuar.