Ish-polici serb Ekrem Bajroviq u dënua me 12 vjet burgim për krime lufte kundër popullsisë civile në Saradran të Istogut. Kjo është dënimi i dytë për Bajroviqin, pasi rasti u kthye në rigjykim nga Gjykata Supreme.
Bajroviq akuzohet se në maj 1999, si pjesëtar i policisë serbe, ndaloi një kolonë civilësh shqiptarë që dëboheshin drejt Shqipërisë. Ai dyshohet se mori 16 burra nga kolona, i çoi në një shtëpi dhe pas maltretimeve, 15 prej tyre u vranë.
Vendimin e shpalli kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, së bashku me anëtarët Leon Përlaska dhe Lutfi Shala. Gjykata e shpalli fajtor Bajroviqin për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” në bashkëkryerje. Në dënimin prej 12 vjetësh do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, duke nisur nga 19 tetori 2022. Masa e paraburgimit do të vazhdojë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Viktima Naim Elshani shprehu pakënaqësi me shkallën e dënimit, duke e konsideruar atë të pamjaftueshme. Edhe i mbijetuari tjetër, Ylber Lipa, theksoi mungesën e mbështetjes institucionale për dëshmitarët.
Në korrik 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë e pati dënuar Bajroviqin me të njëjtin dënim, por Gjykata Supreme e ktheu rastin në rigjykim. Arsyeja ishte mungesa në shkresat e lëndës së deklaratave të disa dëshmitarëve të dhëna në UNMIK dhe EULEX.