Federata Egjiptiane e Futbollit kërkon hetim ndaj ekipit të arbitrave të ndeshjes së 1/8 së finales së Kupës së Botës kundër Argjentinës, si dhe përjashtimin e tyre nga turneu. Presidenti i Federatës, Hany Abou Rida, ka dorëzuar ankesën në FIFA.
Ankesa lidhet me "gabime të rënda arbitrimi dhe standarde të dyfishta", të cilat, sipas Federatës, ndikuan drejtpërdrejt në eliminimin e Egjiptit pas humbjes 3-2 nga Argjentina në Atlanta. Një nga momentet kryesore të kontestuara ishte anulimi i golit të Mostafa Zico në pjesën e dytë, pas ndërhyrjes së VAR-it për një faull të Marëan Attia ndaj Lisandro Martinez. Federata pretendon gjithashtu se Mohamed Salah u pengua në zonën e rreptësisë pak para se Argjentina të shënonte golin e fitores në kohën shtesë.
Federata ka kërkuar hetim të plotë ndaj arbitrit francez François Letexier, si dhe ndaj zyrtarëve të VAR-it, për "gabime të qarta dhe refuzim për të rishikuar disa pamje". Përveç kësaj, Federata ka kërkuar edhe përjashtimin e gjithë ekipit të arbitrimit nga turneu pas përfundimit të hetimeve. Në reagimin e saj, Federata ka theksuar gjithashtu se ndaj kombëtares egjiptiane është kryer një akt diskriminimi.
Pas ndeshjes, përzgjedhësi i Egjiptit, Hossam Hassan, akuzoi arbitrat për trajtim të padrejtë. Edhe sulmuesi Mostafa Zico kritikoi ashpër arbitrimin, duke e quajtur turneun "të kurdisur". Argjentina, pas kësaj fitoreje, do të përballet me Zvicrën në çerekfinale në Kansas.