Millutinoviq u identifikua në shoqërinë e Vesellinoviqit gjatë një tubimi të Partisë Përparimtare Serbe në vitin 2023. Një fotografi e mëhershme nga viti 2023 konfirmon se ai ishte pjesë e Xhandarmërisë. Damjan Vukiçeviq përshkruhet si pjesë e sigurimit të Radoiçiqit dhe identifikohet si anëtar i njësisë së Xhandarmërisë në Kralevë.

Të dy, si dhe Vesellinoviq e Radoiçiq, janë me origjinë nga Kosova. Vesellinoviq dhe Radoiçiq janë nën sanksione të Shteteve të Bashkuara për krimin e organizuar dhe korrupsionin. Radoiçiq kërkohet me urdhërarrest ndërkombëtar nga Interpol-i për organizimin e sulmit në Banjskë të Kosovës në shtator 2023, ku u vra polici Afrim Bunjaku. Megjithëse Radoiçiq mori përgjegjësinë, në Serbi nuk është ngritur aktakuzë kundër tij.

Autoritetet serbe, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq dhe komandantin e Xhandarmërisë Radosllav Repac, mohojnë se pjesëtarë aktivë të Xhandarmërisë u ofrojnë siguri Radoiçiqit dhe Vesellinoviqit. Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me statusin e Millutinoviqit dhe Vukiçeviqit.

Xhandarmëria e Serbisë angazhohet për luftimin e terrorizmit, arrestimin e personave të rrezikshëm dhe rivendosjen e rendit publik. Sipas ligjit, zyrtarët policorë nuk lejohen të kryejnë aktivitete që krijojnë konflikt interesi. Mbikëqyrja e punës së policëve është përgjegjësi e Sektorit të Kontrollit të Brendshëm të Serbisë.