Kandiq theksoi se që në vitin 2008 kishte informuar ministrin e Mbrojtjes së Serbisë, Dragan Shutanovac, për dëshminë e një personi. Ky person pretendonte se kishte transportuar trupa të shqiptarëve të vrarë nga Kosova drejt një baze ushtarake në zonën e përmendur. Autoritetet serbe nuk ndërmorën asnjë veprim lidhur me këtë informacion.
Edhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka kërkuar hapjen e arkivave të ushtrisë serbe. Amer Aliaj nga ky fond tha se vetëm përmes qasjes në dokumentacionin zyrtar mund të zbardhet fati i personave të zhdukur. Ai kërkoi presion nga bashkësia ndërkombëtare për bashkëpunim më serioz në këtë fushë.
Këshilli Koordinues i Familjarëve të Personave të Zhdukur dhe Krimeve të Luftës thekson se ka edhe lokacione të tjera të dyshuara për varreza masive, kryesisht brenda bazave ushtarake. Ahmet Grajqevci nga Këshilli përmendi disa vende, si një fshat afër Rashkës dhe zona në Prokuple. Ai theksoi se pa hapjen e arkivave dhe bashkëpunimin e autoriteteve serbe, zbardhja e fatit të rreth 1600 personave të zhdukur mbetet e vështirë edhe pas 27 vjetësh.