Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e 5 korrikut 2026, ku dy vëllezër nga rrethina e Tetovës, 41 dhe 42 vjeç, u plagosën me thikë. Incidenti pasoi një kërkesë për para dhe kërcënime telefonike.

Sipas njoftimit, rreth orës 21:00, njëri nga vëllezërit, 41 vjeç, mori një telefonatë nga D.I., 37 vjeç, nga Tetova, i cili i kërkoi para duke e kërcënuar. Më pas, tre personat u takuan në rrugën “120” në Tetovë, ku shpërtheu një përleshje fizike.

Gjatë sherrit, D.I. nxori një thikë dhe plagosi të dy vëllezërit. Pas ngjarjes, autori i dyshuar, D.I., u vetëdorëzua në Stacionin Policor të Tetovës dhe u ndalua. Policia ka nisur procedurat për dokumentimin e rastit dhe pritet parashtresa përkatëse.