Të martën, dy shpërthime kanë plagosur 18 persona në Damask, pranë hotelit Four Season. Ndër të plagosurit janë edhe katër policë, sipas mediave shtetërore siriane. Presidenti francez, Emmanuel Macron, nuk ndodhej në hotel në momentin e shpërthimeve, pasi ishte nisur drejt Pallatit Presidencial për t'u takuar me homologun sirian, Ahmed al-Sharaa.
Ministria e Brendshme e Sirisë njoftoi se një bombë ishte vendosur në një makinë të parkuar dhe tjetra në një kosh mbeturinash. Shpërthimet ndodhën teksa po bëheshin përgatitje për çmontimin e tyre. Pas ngjarjes, forcat e sigurisë mbyllën rrugët dhe autoambulancat shkuan në vendngjarje.
Macron, udhëheqësi i parë evropian që viziton Sirinë pas rrëzimit të Bashar al-Assad në vitin 2024, do të vazhdojë vizitën e tij. Gjatë takimit me al-Sharaa, u diskutua për rindërtimin e Sirisë dhe thirrjen për unitet. Presidenti francez u takua edhe me përfaqësues të shoqërisë civile. Kjo ishte hera e dytë që kryeqyteti sirian goditet nga sulmet me bombë brenda një jave. Më vonë të martën, Macron pritet të përmbyllë vizitën në Siri dhe të niset drejt Ankarasë për samitin e NATO-s.