Këngëtarja shqiptare Dua Lipa ka folur në favor të protestave mjedisore në Shqipëri, të cilat kanë arritur ditën e 44-t. Në podcastin e saj “Service95”, gjatë një bisede me Lea Ypin, Lipa e cilësoi “shqetësuese” faktin që mbrojtjet mjedisore mund të ndryshohen pa konsultim të duhur me publikun. Ky qëndrim i saj është pasqyruar edhe nga media belge “EU Alive”.
Kritika e këngëtares u fokusua tek ndryshimet ligjore që krijuan rrugë për një projekt resorti luksoz, i lidhur me Jared Kushner. Ndonëse nuk ishte një deklaratë politike e ashpër, mesazhi i Lipës tregon ndjekjen e situatës nga një figurë publike globale. Qëndrimi i saj, si një figurë me ndikim botëror dhe me identitet të fortë shqiptar, i jep jehonë mesazhit të protestuesve përtej Tiranës.
Protestat e “Flamingove” kanë nisur si një mosmarrëveshje lokale mjedisore dhe janë zgjeruar në një lëvizje kundër mungesës së transparencës. Reagimi i Dua Lipës vjen në një moment sfidues për qeverinë. Ajo ka përdorur më parë platformën e saj për të nxjerrë në pah çështje të Ballkanit. Hyrja e saj në debat e bën atë një zë të rëndësishëm në përballjen publike.