Të dhënat tregojnë se druri përdoret gjerësisht në të gjitha rajonet, me shifra veçanërisht të larta në Pellagoni dhe Jugperëndim. Për ngrohje shkon deri në 62% e energjisë totale të konsumuar në familje. Energjia elektrike renditet e dyta me 24.6%, e ndjekur nga energjia termike me 10.8% dhe peletat me 7.5%. Vaji për ngrohje përbën vetëm 0.3%.

Kondicionerët inverter ishin pajisjet më të përdorura në vitin 2024, me mbi 277,000 njësi në familje. Numri i kolektorëve diellorë arriti në mbi 91,000 familje, duke reflektuar rritjen e interesit për burimet e energjisë së rinovueshme, e ndihmuar edhe nga subvencionet shtetërore.

Komisioni Rregullator i Energjisë po shqyrton ndryshime në sistemin e tarifave, duke propozuar zgjatjen e tarifës së lirë ditore në katër orë dhe shtrirjen e saj edhe të shtunave. Kjo masë synon uljen e kostos së energjisë elektrike për familjet. Një opsion është vënia në dispozicion e energjisë elektrike të lirë nga ora 11:00 deri në 15:00, për shkak të rritjes së prodhimit nga centralet fotovoltaike.

Kryetari i Komisionit Rregullator, Aco Ristov, njoftoi se po analizohet edhe rishikimi i tarifave bllok. Rezultatet fillestare priten deri në fund të shtatorit, me mundësinë e zbatimit të modeleve të reja tarifore nga 1 janari 2027.

Ndërkohë, po bëhen përpjekje për zgjerimin e infrastrukturës së gazit. Kompania "Aksa Energy Macedonia" po merr përsipër gazifikimin e vendit dhe ndërtimin e rrjetit sekondar. Gazifikimi shihet si një mjet kyç për uljen e ndotjes dhe rritjen e efikasitetit energjetik, megjithëse projekti ka hasur në vonesa të shumta ndër vite.