Skuadra e Dritës është gati për ndeshjen e parë kundër Kauno Žalgiris, e vlefshme për raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Takimi zhvillohet nesër (e martë).
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri Zekirija Ramadani u shpreh se ekipi është përgatitur në çdo aspekt: psikologjik, fizik dhe taktik. Ramadani beson se Drita mund të kthehet me një rezultat pozitiv nga transferta, duke synuar një avantazh për ndeshjen e kthimit.
Kapiteni Besnik Krasniqi theksoi atmosferën e shkëlqyer brenda ekipit, të cilën e cilësoi si një pikë të fortë të Dritës. Ai shtoi se lojtarët janë të motivuar dhe do të japin maksimumin për një rezultat pozitiv. Krasniqi paralajmëroi gjithashtu kujdes, duke theksuar se kualifikimi përfshin dy ndeshje.
Drita kërkon të krijojë një pozicion sa më të favorshëm në këtë përballje të parë, përpara sfidës së kthimit para tifozëve të saj.