Ymer Dragusha, ish-ushtrues detyre i drejtorit të Zyrës së Prokurimit në KEK, u shpall fajtor për katër vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, njoftoi se aktgjykimi u bazua në nenin 76 të Kodit Penal.
Për pikën e parë të aktakuzës, Dragusha u dënua me një vit burgim. Për pikat e dytë, të tretë dhe të katërt, iu shqiptua dënim prej tetë muajsh burgim për secilën vepër. Gjykata vendosi dënim unik prej dy vjetësh burgim, i cili do të ekzekutohet brenda 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Gjykata udhëzoi Avokaturën Shtetërore që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në një kontest të rregullt civil. Dragusha, po ashtu, duhet të paguajë 100 euro paushall gjyqësor dhe 100 euro taksë për kompensimin e viktimave të krimit.
Në këtë rast akuzohen edhe ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, dhe Isuf Zejna, përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”. Gjykimi ndaj Krasniqit dhe Zejnës është ende në proces. Akuzat përfshijnë keqpërdorim të detyrës zyrtare, zbulim të fshehtësisë zyrtare dhe ndihmë në keqpërdorim të detyrës, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëme mbi 36 milionë euro gjatë viteve 2021-2023.