Në fundin e qershorit dhe fillimin e korrikut 1990, qindra shtetas shqiptarë hynë me forcë në ambasada të huaja në Tiranë, duke kërkuar strehim politik dhe mundësinë për t'u larguar nga Shqipëria. Këto ngjarje, të njohura si “Ngjarja e ambasadave e 2 korrikut 1990”, nxjerrin në dritë informacione të reja përmes dokumenteve operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Një komunikatë e datës 22 qershor 1990 regjistron një tentativë për të hyrë në ambasadën arabe. Më 23 qershor 1990, gjashtë persona hynë me forcë në ambasadën italiane me një automjet IFA, ndërsa më 24 qershor, dy shtetas u futën në ambasadën turke duke kapërcyer murin. Dokumentet e 29 qershorit tregojnë ndalimin e Gëzim Bedri Mullet dhe Fatos Isak Kadriu, pasi kishin hyrë në ambasadën kubaneze, si dhe Alfred Vasil Vasili për tentativë hyrjeje në ambasadën turke.
Një ngjarje tjetër e rëndësishme, sipas komunikatës së 30 qershorit, ishte futja e 12 personave (tre prej tyre gra) në ambasadën algjeriane në orën 01:30, duke thyer xhamat në katin e dytë. Ambasadori algjerian bisedoi me ta, duke u thënë se “në Shqipëri jetohet shumë mirë, mos u gënjeni nga televizioni” dhe premtoi bisedime me qeverinë shqiptare për pasaporta sipas ligjit. Po këtë ditë, një shpërthim i fortë u dëgjua pranë Muzeut “Enver Hoxha”.
Komunikata e 9 korrikut dokumenton ndalimin e 472 shtetasve të rinj në afërsi të ambasadave, kryesisht nga Durrësi, Shkodra, Kruja, Elbasani, Vlora dhe Fier, si dhe rrethe të tjera. Në mesin e të ndaluarve ishin Vladimir Olloman Elezi pranë murit të ambasadës italiane, Pal Marash Delia, gazetar, për kundërshtim me dhunë të policisë, dhe Suzana Riza Trushi për fyerje ndaj punonjësve të policisë pranë ambasadës italiane. Më 8 korrik, një punonjës i ambasadës jugosllave u përfshi në një aksident automobilistik.
Më 11 korrik, Besnik Elmaz Shameti u ndalua për fyerje të udhëheqjes partiake dhe shtetërore para ambasadës turke, ndërsa Elisabeta Trifon Qirici u ndalua për fyerje ndaj policisë para ambasadës italiane. Dokumentet e 13 korrikut regjistrojnë ndalimin e hyrjes në Shqipëri të katër polakëve të Kryqit të Kuq, një gazetari anglez dhe një gazetari turk në Aeroportin e Rinasit, si dhe ndalimin e Kujtim Bajram Meçe që donte të hynte në ambasadën polake.